Qytetarët e Kosovës po shesin dhe blejnë banesa me kriptovaluta

Nga pagesa e kafesë deri te blerja e banesave, qytetarët në Kosovë, në disa kompani, mund të përdorin kriptovaluta.

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e transaksioneve të bëra për blerjen e kriptovalutave në Kosovë, në gjashtë vjetët e fundit, ka arritur në rreth 10 milionë euro, ndërsa shitja e tyre kap shumën e 1.76 milion eurove.

Nga kureshtja për t’u njohur me paranë dixhitale, lokali i pijeve “N’dritare”, në qytetin e Ferizajt, ka filluar pagesën e produkteve, konkretisht të kafesë dhe pijeve të tjera, me kriptovaluta, qysh në vitin 2018.

Alban Bytyqi, bashkëpronar i këtij lokali, thotë se interesimi i qytetarëve për këtë lloj pagese ka qenë më i madh para tre vjetësh, sesa tani.

“Më shumë ka qenë si atraksion për qytetarët që e kanë shfrytëzuar si formë pagese [kriptovalutën]. Tash ka rënë në zero [pagesa] me Bitcoin, pasi qytetarët kanë nisur ta kuptojnë se Bitcoin është më i mirë si formë e kursimit, sesa si formë e pagesës”, thotë Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

Në botë ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.

Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion online, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave.

Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar -persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se kanë investuar apo përdorin kriptovaluta.

Kompania ndërtimore “Pozhegu Brothers”, me seli në Prishtinë, ka kohë që ka filluar ofertën e shitjes së banesave me Bitcoin.

Pronari i kompanisë, Qemajl Pozhegu thotë se ka interesim të madh për të paguar me para digjitale, sidomos nga të rinjtë, porse ende nuk është realizuar ndonjë shitblerje.

“Ne nuk pranojmë Bitcoin, por bashkëpunojmë me Zyrën e Këmbimit Valutor që operon në Prishtinë. Nëse klienti vjen të blejë banesë më kriptovalutë, ne e lidhim me këmbimore. Ata i transferojnë mjetet nga kriptovaluta në euro dhe klienti paguan produktin me euro”, thotë Pozhegu.