Presidenti Amerikan Joe Biden të mërkurën ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke i kërkuar administratës që të shqyrtojë rreziqet dhe përfitimet nga kriptomonedhat.
Një direktivë e shumëpritur që ka mbajtur industrinë e kriptomonedhave në ankth, i cili buronte nga shqetësimet rregullatorë në rritje që rrethonin tregun e aseteve dixhitale.
Ka pasur raportime për një përçarje mes zyrtarëve të shtëpisë së bardhë dhe Sekretares së Thesarit Janet Yellen duke shkaktuar vonesa në miratimin e politikës, raporton CNBC.
Tregu i kriptomonedhave mori një sinjal për ardhjen e këtij urdhri ekzekutiv ndërsa Thesari aksidentalisht publikoi një deklaratë ku referohej për një vendim historik dhe zbuluar kështu detajet përpara zyrtarizimit.
Urdhri u nënshkrua më në fund ditën e mërkurë. Agjencitë Federale duhet të ndërmarrin një qasje të unifikuar për rregullimin dhe mbikëqyrjen e aseteve dixhitale sipas një njoftimi publikuar në faqen e Shtëpisë së Bardhë.
Këto janë informacionet kyçe që duhet të dimë.
Mbrojtja e Konsumatorëve
Masa e miratuara ditën e Mërkure do të përqendrohen në katër drejtime:
- Mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve
- Stabiliteti financiar
- Aktiviteti i paligjshëm
- Konkurrueshmëria Amerikane në skenën botërore
- Përfshirje financiare
- Inovacion i përgjegjshëm
Mbrojtja e konsumatorëve është një prej pjesëve më të rëndësishme të direktivës. Lajme e histori investitorësh të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve apo humbur sasi të mëdha parash përmes sulmeve kibernetike ndaj bursave dhe vetë përdoruesve kanë qenë të shumta.
Administrata Biden bëri thirrje Thesarit të asistojë dhe zhvillojë një politikë rekomandimesh rreth kriptomonedhave. Gjithashtu kërkon nga rregullatorët që të implementojnë masat e nevojshme për mbrojtjen përballë rreziqeve sistematike financiare që kanë asetet dixhitale.
Edhe pse ligjvënësit nuk i tremben aq shumë rreziqeve sistematike që vinë nga kriptomonedhat, shqetësimet janë shtuar lidhur me rolin që stablecoin luajnë. Stablecoin janë tokenë dixhitalë vlera e të cilëve lidhet me vlerën e monedhave ekzistuese siç është dollari Amerikan.
Stablecoin më i madh në botë me afro 80 miliardë dollarë në qarkullim është Tether dhe jo rrallë herë ka tërhequr vëmendjen e autoritete ve rregullatorë të shqetësuar se tokeni nuk ka mbështetje të mjaftueshme në rezerva dollari për të justifikuar vlerën e tij.
Pikërisht çështja e stablecoins është ajo që i mungonte direktivës së Biden edhe pse Yellen e ka bërë të qartë se ajo dëshiron të shohë miratimin e një plani rregullator nga vetë Kongresi.
Aktiviteti i paligjshëm
Urdhri ekzekutiv i Biden kishte në vëmendje edhe një problem madhor për kriptomoedhat siç është aktiviteti i paligjshëm. Presidenti kërkoi një veprim “të përqendruar, të koordinuar dhe paprecedent” nga agjencitë federale për të adresuar rrezikun për sigurinë kombëtare që i vjen vendit nga aktiviteti i paligjshëm në kriptomonedha. Lidhur me këtë çështje ai kërkoi bashkërendim ndërkombëtar.
Muajin e kaluar zyrtarët Amerikanë konfiskuan 3.6 miliardë dollarë në bitcoin, operacioni më i madh i tyre në kriptomonedha ndonjëherë, dhe që lidhej me hakimin e bursës së kriptomonedhave Bitfinex në 2016-ën.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, autoritetet janë të shqetësuara se individë të sanksionuar rusë mund të përdorin kriptomonedhat për të shmangur sanksionet.
Zërat e fortë në mbështetje të kriptomonedhave thonë se është shumë e vështirë që paratë të pastrohen përmes kriptomonedhave, sepse transaksionet janë të gjitha publike dhe ruhen në sistemin e regjistrave të shpërndarë njohur si blockchain.
Ndryshimet klimaterike
Biden gjithashtu përmendi koston e madhe energjitike që kriptomonedhat si bitcoin kanë. Ai dëshiron që administrata të studiojë dhe të gjejë mënyra për të reduktuar impaktin negativ mjedisor dhe klimaterik.
Bitcoin ngrihet mbi një mekanizëm njohur si “provë e punës” për të konfirmuar transaksionet dhe gjeneruar monedha të reja. Një rrjet i decentralizuar kompjuterësh konkurron me njëri tjetrin për të zgjidhur ekuacione komplekse matematikore, një proces që njihet si gërmim i kriptomonedhave. Sa më shumë fuqi kompjuterike që një gërmues ka, aq më të larta shanset për shpërblim në bitcoin.
Alarme janë ngritur nga ligjvënësit në mbarë botën me Kinën e cila ka bllokuar plotësisht këtë aktivitet. Ishte pikërisht kjo lëvizje që nxiti një eksod të tërë të gërmuesve nga Kina në SHBA dhe vende të tjera të botës si Kazakistani.
Konkurrueshmëria Amerikane
Një pjesë e njoftimit të Shtëpisë së Bardhë përqendrohet tek garantimi i një avantazhi konkurrues mbi vendet e tjera kur bëhet fjalë për implementimin e kriptomonedhave. Është e një rëndësie të veçantë sidomos në një kohë kur Kina ka vendosur ti dëbojë plotësisht.
Biden ngarkoi Departamentin e Tregtisë me detyrën për ndërtuar një strategji që do të udhëhiqte SHBA drejt lidershipit në këtë sektor dhe teknologjitë mbi të cilat mbështetet.
Figura të shumta nga industria e kriptomonedhave kanë bërë thirrje për veprime të ngjashme dhe këtu përmendim drejtuesit e Coinbase, Kraken dhe Winklevoss.
Blockchain Association, një organizatë e cila përfaqëson disa kompani të mirënjohur kriptomonedhash, tha ditën e Mërkure se Biden “ka mundësinë ta mbajë Amerikën si lider botëror në inovacionet teknologjike edhe për shumë vite në vijim.”
Dollari dixhital
Së fundi administrata Biden dëshiron të eksplorojë mundësinë e një versioni dixhital të dollarit.
Kina është ajo që ka udhëhequr në këtë drejtim ndërsa njerëzit dita ditës përdorin smartfonët për të bërë pagesa dhe menaxhuar financat e tyre.
Por Biden nuk tha nëse SHBA-ja duhet të lançojë monedhën e saj dixhitale ose jo. Përkundrazi kërkoi nga administrata “me urgjencë” që të rrisë përpjekjet në kërkim dhe zhvillim për një monedhë dixhitale shtetërore.
Rezerva Federale vitin e kaluar filloi eksplorimin e idesë së një dollari dixhital. Banka Qendrore publikoi një raport të shumëpritur duke detajuar avantazhet dhe disavantazhet e parave virtuale por nuk mbajti qëndrim nëse SHBA-ja duhet ta ketë një të tillë ose jo.
Edhe pse një monedhë dixhitale do të lehtësonte pagesat dhe transfertat, politikbërësit i tremben problemeve që mund të lindin me stabilitetin dhe privatësinë financiare.
Momenti i shumëpritur
Sipas, CNBC, urdhri ekzekutiv dhe axhenda që parashikon heq një burim të thellë paqartësie për një industri e cila është goditur rëndë nga hendeqe të shumta rregullatorë por edhe skandale.
Në fillim të këtij viti startupi i kriptomonedhave BlockFi u goditur nga një gjobë rekord prej 50 milionë dollarë nga Komisioni Amerikan i Bursave dhe Letrave me Vlerë (SEC) me pretendimet se ka shkelur ligjet e letrave me vlerë. Penaliteti ishte pjesë e një padie 100 milionë dollarëshe që përfshinte pagesa ndaj 32 shteteve Amerikane.
Telashe të tilla nuk kanë lënë pa prekur as Coinbase edhe pse arriti ti shpëtonte ndëshkimit. SEC ka kërcënuar Coinbase me veprime ligjore lidhur me një produkt të ngjashëm me BlockFi duke ju ofruar përdoruesve pagesa interesi për shumat e tyre në kriptomonedha. Kompania nuk pati mundësi tjetër vetëm se të braktiste këto plane.
“Është një moment i shumëpritur për kriptomonedhat, asetet dixhitale, Web 3 dhe është veprim i ngjashëm me zgjimin e administratës në 1996/1997 përballë internetit komercial,” tha CEO i firmës Cicle Jeremy Allaire në rrjetin social Twitter.
Optimizmi buruar nga urdhri ekzekutiv i Biden dërgoi vlerën e bitcoin mbi 42 mijë dollarë. /Shqip.com